Abdulbesar Ademi
10 shtator 2026•Përditësim: 10 shtator 2026
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po mbështet zhvillimin e një projekti të madh të energjisë së erës në Maqedoninë e Veriut, i cili do të jetë projekti i parë i madh privat i këtij lloji në vend i financuar pa mbështetje shtetërore, transmeton Anadolu.
BERZH do të sigurojë deri në 42 milionë euro financim për kompaninë e projektit STP WIND, në pronësi të "Alcazar Energy Partners II", si pjesë e një pakete më të gjerë financimi që përfshin partnerë ndërkombëtarë.
Siç njofton banka e investimeve me seli në Londër, investimi do të mbështesë fazën e parë të centralit të erës në Shtip, i cili do të ketë një kapacitet të instaluar prej 131 megavatësh (MW).
Projekti mbështetet nga një marrëveshje afatgjatë korporative për energjinë e rinovueshme me një blerës të madh ndërkombëtar, e cila synon të sigurojë stabilitet të çmimeve, duke mundësuar njëkohësisht pjesëmarrjen në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Pas vënies në funksion, parku i erës pritet të prodhojë sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme çdo vit, duke reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe duke kontribuar në zëvendësimin gradual të prodhimit të vjetruar të energjisë nga qymyri.
Kur të zhvillohet plotësisht, kompleksi më i gjerë i Shtipit pritet të bëhet një nga kapacitetet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në Maqedoninë e Veriut dhe të japë kontribut të rëndësishëm në sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike të vendit.
Projekti është në përputhje me objektivat e BERZH-it për tranzicionin e gjelbër dhe mbështet synimet e Maqedonisë së Veriut për dekarbonizim në kuadër të politikave kombëtare për energjinë dhe klimën.
Drejtori menaxhues i BERZH-it për Infrastrukturë të Qëndrueshme, Harry Boyd-Carpenter tha se përmbyllja me sukses e financimit të parkut të erës në Shtip përbën "një hap të madh përpara" për tranzicionin energjetik të Maqedonisë së Veriut.
Ai u shpreh se BERZH-i është i kënaqur që po mbështet kompaninë "Alcazar Energy" në investimin e saj të parë në Ballkanin Perëndimor, duke mobilizuar kapital privat për ndërtimin e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme për vendin dhe rajonin.
Bashkëthemeluesi dhe partneri menaxhues i kompanisë "Alcazar Energy", Daniel Calderon, nga ana e tij, tha se realizimi i një projekti të parë të këtij lloji dhe të kësaj shkalle në një vend sjell sfida të konsiderueshme. Përveç ndikimit në klimë dhe sektorin energjetik, sipas BERZH-it, projekti do të përfshijë edhe iniciativa për mbështetjen e komuniteteve lokale dhe zhvillimin e aftësive, me fokus të veçantë në gjithëpërfshirje.
BERZH-i është një nga investitorët kryesor institucional në Maqedoninë e Veriut dhe prej vitesh mbështet projekte në fushën e energjisë së rinovueshme, infrastrukturës së qëndrueshme dhe zhvillimit të sektorit privat.