Abdula Berisha
29 Tetor 2019•Përditësim: 30 Tetor 2019
Përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit shtetëror të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, qëndron për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, raporton Anadolu Agnecy (AA).
Në deklaratë për mediat pas takimit, ministri Dimitrov tha se është biseduar për anëtarësimin e pritur të Maqedonisë së Veriut në NATO, për raportet mes dy vendeve dhe për tema rajonale.
Dimitrov gjithashtu tha se është biseduar për atë sesa e rëndësishme është që të hapet edhe kapitulli evropian, si për interesat e Shkupit, ashtu edhe për interesat e Washington-it.
Duke folur për vendimin e fundit të Bashkimit Evropian (BE) për të mos filluar bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, Dimitrov tha se Maqedonia e Veriut duhet të jetë këmbëngulëse dhe të mos bie në "kurthin e zhgënjimit dhe viktimizimit".
"Duhet të jemi këmbëngulës, duhet të heqim edhe justifikimin e fundit, që është ligji për Prokurorinë Publike dhe në rastin tjetër të dalim më të gatshëm dhe më këmbëngulës dhe të gjejmë një mënyrë si të gjitha vendet anëtare të BE-së së bashku me ne, të gjejmë një mënyrë që edhe shqetësimet e tyre adresohen, edhe interesi ynë, sepse kemi një interes të përbashkët", tha Dimitrov.
Ai theksoi se rajoni i Ballkanit është pjesë e gjeografisë evropiane, duke shtuar se Evropa nuk mund të jetë e suksesshme dhe e qëndrueshme nëse rajoni mbetet i cenueshëm.
Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-ve, Matthew Palmer, tha se vizita në Maqedoninë e Veriut është ndalesa e parë për gjatë vizitës në rajon, duke shtuar se do të vizitojë Prishtinën, Beogradin dhe Athinën.
"Po vij menjëherë pasi Senati amerikan miratoi protokollin që ratifikon anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në organizatën e Traktatit Veriatlantik, kështu që është një kohë e qëlluar për të qenë këtu, gjithashtu pas vizitës së fundit të sekretarit Pompeo. Vij vërtet për të riafirmuar dhe riforcuar mbështetjen e fuqishme amerikane për Maqedoninë e Veriut dhe për rrugën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut", tha Palmer.
Gjatë qëndrimin të tij në Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesi i posaçëm amerikan do të takohet edhe me ministren e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, si dhe me presidentin Stevo Pendarovski.