Agim Sulaj
21 Korrik 2021•Përditësim: 22 Korrik 2021
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale për krime lufte, është mbajtur konferenca e gjashtë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se ka vazhduar nxjerrjen e materialeve dhe që nga konferenca e fundit statusore, janë nxjerrë të paktën 14 pako me materiale. Ndër to, thanë se janë edhe katër pako, me materiale potencialisht shfajësuese.
Ndërkaq, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve, kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vonesa në nxjerrjen e materialeve, rrjedhimisht edhe fillimin e gjykimit të të akuzuarve të cilët po mbahen në paraburgim që nga tetori i vitit 2020.
Avokati Luka Mishetiq, i cili po e mbron juridikisht ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë tha se Prokuroria deri më tash ka pasur “një mosangazhim për dorëzimin e materialeve”.
Mishetiq tha ata nuk janë në një pozitë ku mund të vazhdojnë me shtyrje të mëtutjeshme të afateve të nxjerrjes së materialeve nga Prokuroria derisa të akuzuarit janë në paraburgim. Ai tha se ekziston një urgjencë që ZPS-ja t’i përmbahet afateve dhe t’i përmbushë ato.
“Sa i përket përgatitjes për gjykim, themi që ka shumë materiale që ende nuk i kemi parë dhe prokuroria vazhdon të mos angazhohet për nxjerrjen e materialeve. Ende po përgatiten raportet e ekspertëve. Ne nuk kemi filluar akoma të përgatitemi dhe në këto rrethana ne nuk mund të themi as edhe kur do të jemi gati”, tha Mishetiq.
Edhe avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emerson, tha se klienti i tij mendon se po mbahet peng në Hagë, ndërkohë që “Prokuroria po vonon procesin e përgatitjes për gjykim”. Ai tha se gjykatësi duhet të caktojë një afat dhe pas tij, të mos pranohen materialet që dorëzon prokuroria.
Megjithëkëtë, nga ZPS-ja në konferencë thanë se materialet të cilat do të dalin prej hetimeve duhet të autorizohen nga gjykatësi.
Ata thanë se nuk është vonuar procesi i përgatitjes së këtij gjykimi nga Prokuroria, përkundrazi “Prokuroria i ka përmbushur detyrimet e veta në mënyrë shumë të shpejtë dhe i është përmbajtur afateve që i janë dhënë”.
Këtë e kundërshtoi ashpër avokati i Veselit, i cili tha se Prokuroria nuk është e gatshme të fillojë me gjykim deri në fund të vitit 2021.
Aktakuza ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e Presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.
Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.