Agim Sulaj
31 Mars 2023•Përditësim: 02 Prill 2023
Gjykata Themelore e Ferizajt është zgjedhur si gjykata më transparente me publikun në Kosovë, për shkak të publikimit më të madh të vendimeve gjyqësore, raporton Anadolu.
Lëvizja FOL prezantoi në një konferencë për media ku morën pjesë udhëheqës të institucioneve të drejtësisë në Kosovë gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës nga janari deri më dhjetor 2022.
FOL bëri të ditur se në përgjithësi ka rritje të publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat në Kosovë ndërsa deri më tash gjithsej vendime gjyqësore të publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës janë mbi 100 mijë aktgjykime.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj tha se KGJK është transparente dhe takimet i ka publike, derisa theksoi se shumica e raporteve që dalin nga ky këshill publikohen.
Ai tha se megjithatë ende ka hapësirë për të rritur nivelin e transparencës me publikun.
"Në shumë raste informacioni plasohet në publik me kërkesën e mediave dhe shoqërisë civile dhe besoj se tani e tutje po besoj se kapacitetet tona duhet të jenë të fokusuara në këtë drejtim që informacioni të dalë vetë nga institucioni në publik pa kërkesë", theksoi Zogaj.
Hulumtuesja e FOL-it, Albana Hasani, e cila prezantoi gjetjet tha se hulumtimi ka për qëllim të paraqes publikimin e aktgjykimeve dhe aktvendimeve nga ana e gjykatave të Kosovës, të identifikojë sfidat në publikimin e vendimeve dhe të ofrojë një listë të rekomandimeve për përmirësimin e publikimit të vendimeve.
Hasani përmendi tri gjykatat që kanë qenë më transparente për vitin 2022, nga të cilat Gjykata Themelore e Ferizajt zë vendin e parë.
"Gjykata Supreme e Kosovës e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 4.551 lëndë ndërsa ka publikuar 3.188 vendime, pra ka publikuar 70 për qind të lëndëve të zgjidhura. Më pas Gjykata e Apelit e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 15 e 13 lëndë, ndërsa ka publikuar 7.451 apo 50 për qind të lëndëve të zgjidhura si dhe Gjykata Themelore e Ferizajt si gjykata prej atyre themelore ka publikuar më së shumti aktgjykime dhe aktvendime në proporcion me lëndët e zgjidhura. Nga 6.282 lëndë të zgjidhura ka publikuar 2.875 vendime, pra 46 për qind të lëndëve të zgjidhura", tha Hasani.
Vetëm gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 në faqen zyrtare të KGJK-së janë publikuar rreth 34.700 vendime.
Ky nivel i publikimit dëshmon rritje të publikimit prej 41 për qind në krahasim me vitin 2021 ku ishin publikuar rreth 24 mijë.