Alma Çekovic
04 korrik 2019•Përditësim: 06 korrik 2019
Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe integrimi i vendeve të rajonit po ndodh çdo ditë, deklaroi Komisari për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Johanes Hahn, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Gjeografia është fat. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Ne e ndajmë të kaluarën e përbashkët, gjeografinë, trashëgiminë kulturore, ndajmë mundësitë dhe sfidat e përbashkëta, sot dhe në të ardhmen. Jemi të gjykuar me njëri tjetrin, kështu që nuk ka dyshim se Ballkani Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian", tha Hahn, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Samitin e Gjashtë të Procesit të Berlinit dhe gjashtës së Ballkanit Perënidmor, të mbajtur më 4 dhe 5 korrik të vitit 2019 në qytetin polak Poznan.
Siç tha ai, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është një realitet dhe po ndodh çdo ditë.
“Së bashku kemi kaluar një rrugë të gjatë, por jam i bindur se edhe më shumë mund të arrijmë para skadimit të mandatit tim. Mbështes rekomandimin e Komisionit që të hapë negociata për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe llogaris në atë se Këshilli në tetor do të vijojë vlerësimin tonë pozitiv”, tha Hahn.
Ai shtoi se i gjithë rajoni duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe të forcojë zbatimin e reformave, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë.
"Një ekonomi e fortë dhe e qëndrueshme nuk është e mundur pa respektuar këto baza, ato janë çelësi për arritjen e një mjedisi të parashikueshëm të biznesit", tha Hahn.
Në Samitin u drejtua edhe ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Jacek Czaputowicz duke thënë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të rriste stabilitetin rajonal, zhvillimin, por edhe më tej do të zgjeronte vlerat evropiane.
"Pa Ballkanin Perëndimor, Evropa nuk është plotësisht e bashkuar, as nga pikëpamja gjeografike apo nga pikëpamja gjeopolitike", tha ministri i jashtëm polak.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e bashkëpunimit ndërqeveritar që synon forcimin e lidhjeve midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik brenda Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe vendet anëtare të BE-së: Gjermaninë, Austrinë, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, Komisionin Evropian dhe Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.