Agim Sulaj
16 nëntor 2026•Përditësim: 16 nëntor 2026
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut është hapur zyra e Institucionit të Avokatit të Popullit, e cila synon të lehtësojë qasjen e qytetarëve të katër komunave veriore me shumicë serbe në këtë institucion, transmeton Anadolu.
Sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, hapja e kësaj zyre erdhi si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët gjatë takimeve me përfaqësuesit e institucionit kishin shprehur vështirësi në qasjen në shërbimet e tij.
Ai bëri të ditur se zyra është e gatshme dhe do të jetë funksionale për pranimin e ankesave dhe organizimin e ditëve të hapura për qytetarët.
Në aktivitetin e hapjes mori pjesë edhe drejtori i organizatës joqeveritare ACDC, Dushan Radakoviq, i cili vlerësoi se një zyrë e tillë është e nevojshme, për shkak të numrit të madh të kërkesave që adresohen te Avokati i Popullit dhe organizatat joqeveritare që veprojnë në veri.
Radakoviq theksoi se zyra duhet t'u shërbejë të gjitha komuniteteve që jetojnë në katër komunat veriore, duke vlerësuar njëkohësisht bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Institucionit të Avokatit të Popullit për shoqërinë civile.
Zëvendësi i Avokatit të Popullit, Sërxhan Sentiq, e cilësoi hapjen e zyrës si një ditë të rëndësishme për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në pjesën veriore të Kosovës.