Admir Fazlagikj
22 Shtator 2021•Përditësim: 23 Shtator 2021
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, së bashku me kryetarin e komunës Stari Grad të qytetit të Sarajevës, Ibrahim Haxhibajriq, kanë nënshkruar Marrëveshjen e binjakëzimit të dy komunave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në rrjetet sociale, Ganiu ka theksuar se Çairi u binjakëzua me Stari Gradin dhe se Çarshia e Vjetër e Shkupit dhe Bash Çarshia e Sarajevës tanimë janë pranë njëra tjetrës.
“Sot përveç që u binjakëzuan dy komunat, i sollëm shumë më afër dy çarshitë më të bukura, Çarshinë tonë të Vjetër që gjendet në zemër të Çairit dhe Bash Çarshinë që gjendet në zemër të Sarajevës. Më gëzon fakti që vendi i nënshkrimit të marrëveshjes ishte pikërisht Çairi ynë i bukur”, shkroi Ganiu në rrjetet sociale.
Ganiu shtoi se krijimi i partneriteteve të reja hap edhe dyer të reja.
Së bashku me delegacionin nga Bosnjë e Hercegovina, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së binjakëzimit, Ganiu vendosi lule tek Memoriali i viktimave të Srebrenicës që gjendet në Parkun e Çairit.
Kujtojmë se në muajin nëntor të vitit 2017, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, me kryetarin e atëhershëm të Qytetit të Sarajevës Abdullah Skaka, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit nënshkruan Marrëveshje të binjakëzimit midis dy qyteteve, pas çka porositi se kryeqytetet e dy vendeve ushqejnë shumë vlera të përbashkëta.