Agim Sulaj
09 Prill 2026•Përditësim: 09 Prill 2026
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin dhe ta njoh pavarësinë e Kosovës, transmeton Anadolu.
Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Konjufca tha se pengesa e vetme për normalizimin e raporteve është Serbia.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në Bashkim Evropian (BE). I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran”, tha Konjufca.
Ai theksoi se Beogradi zyrtar ka bërë përpjekje për të vazhduar rolin e vet destruktiv, me ndërhyrje në zgjedhje dhe mbështetjen për Listën Serbe, përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë.
Konjufca me këto deklarata iu kundërpërgjigj homologut të tij serb, Marko Gjuriq, i cili përfaqëson Serbinë në OKB dhe tha se komuniteti serb në Kosovë po përballet me margjinalizim, arrestime të vazhdueshme dhe sulme. Sipas tij, politikat e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti i etiketojnë serbët vazhdimisht si “të tjerët” dhe pretendoi edhe për sulme ndaj Kishës Serbe në Kosovë.
Ndërkaq, përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka deklaruar se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë një të ardhme të sigurt, pa tensione politike dhe pa probleme të ricikluara.
Sipas saj, mesazhi i Washingtonit për ministrat Konjufca dhe Gjuriq është i qartë, siç tha ajo, e vetmja rrugë përpara është normalizimi i marrëdhënieve.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën u prezantua raporti 6-mujor i UNMIK-ut për periudhën shtator 2025-mars 2026 nga përfaqësuesi special Peter Due, ndërsa Kosovën e përfaqësoi për herë të parë ministri Konjufca.
Raporti theksoi nevojën që përgjegjësit për sulmin në Banjskë dhe incidentin në Ibër-Lepenc të mbahen përgjegjës, duke ofruar gatishmëri të OKB-së për bashkëpunim me Prishtinën dhe Beogradin.
Në raport u përmend si zhvillim pozitiv rikthimi i kryetarëve serbë në komunat veriore dhe ri-angazhimi në institucionet lokale. Due tha se mirëpret kontaktet e nivelit qendror me ato lokal në veri, si dhe ka vlerësuar se ka progres edhe në çështjen e dialogut së fundmi.