Agim Sulaj
31 gusht 2026•Përditësim: 31 gusht 2026
Zv/kryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Shtetit të Palaut, Gustav Aitaro, në kuadër të Takimit të 55-të të Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit në Koror të Palaut, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive, me fokus në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe në mundësitë për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral.
Zv/kryeministri Konjufca shprehu mirënjohjen për mikpritjen e Palaut dhe organizimin e forumit, duke vlerësuar mundësinë për të diskutuar drejtpërdrejt avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Palaut.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për hapjen e fushave të reja të bashkëpunimit me interes të përbashkët, si dhe për intensifikimin e kontakteve ndërinstitucionale dhe diplomatike.
Sipas njoftimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe në zhvillimin e një bashkëpunimi më të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.
Bëhet e ditur se takimi riafirmoi vullnetin për thellimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Palaut dhe për zgjerimin e bashkëpunimit mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta.