Agim Sulaj
22 Gusht 2021•Përditësim: 23 Gusht 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit 11 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.326, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar shifër rekord që nga fillimi i pandemisë prej 1.682 rasteve të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 129.309.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 10.710 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 881.234 teste.
Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 263 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 107.288 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 19.695.
Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 18.776 doza të vaksinës kundër COVID-19 ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 707.793 doza të vaksinës. Deri më sot 236.405 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.