Agim Sulaj
18 Dhjetor 2019•Përditësim: 18 Dhjetor 2019
Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë dy shtetasit kosovarë që u deportuan nga Turqia të cilët dyshoheshin se kanë tentuar t’i bashkëngjiten organizatave apo grupeve terroriste në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin 24-orësh nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se dy meshkujt shqiptarë me nënshtetësi kosovare janë arrestuar dje në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shqiptarë, pasi që Turqia i kishte dëbuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë tentuar t'u bashkëngjiten organizatave apo grupeve terroriste në Siri”, shkruan policia në raport.
Më tej, thuhet se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
AA dje raportoi se Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë deportoi dy shtetas të Kosovës, luftëtarë të huaj terroristë.
Ministria turke po ashtu tha se vazhdojnë deportimet e luftëtarëve të huaj terroristë në vendet e tyre.
Çështja e trajtimit të anëtarëve të DEASH-it dhe familjeve të tyre të arrestuar në Siri, përfshirë anëtarët e huaj të këtij grupi terrorist, ka qenë e diskutueshme me Turqinë që argumenton se terroristët e huaj duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Ankaraja ka thënë se disa vende evropiane i refuzuan përpjekjet turke për t’i kthyer anëtarët e DEASH-it në vendet e tyre.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur se deri më tani Turqia ka deportuar 7 mijë e 500 anëtarë të DEASH-it, duke shtuar se aktualisht në burgjet turke ndodhen 1 mijë e 149 terroristë të DEASH-it.