Agim Sulaj
11 Mars 2020•Përditësim: 12 Mars 2020
Me thirrje të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme plenare ku diskutoi “raportet në rrezik midis Kosovës dhe SHBA-ve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryesia e Kuvendit të Kosovës gjatë ditës vendosi për mbajtjen e kësaj seance, pasi sipas një pjese të madhe të opozitës “me mospërfilljen e kërkesës së SHBA-ve nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tarifës së vendosur për mallrat serbe, po prishen marrëdhëniet miqësore kosovare-amerikane”.
Arben Gashi, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen, ftoi kryeministrin Albin Kurti që sa më parë të heq plotësisht tarifën ndaj Serbisë siç e kërkon SHBA.
Në fjalën e tij, Gashi tha se shumica e përfaqësuesve të popullit kërkon heqjen e tarifës së vendosur nga qeveria e kaluar ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
“Kërkoj nga kryeministri Kurti, duke i ofruar të gjithë ndihmën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të heq sa më parë tarifën në mënyrë të plotë. Zotëri kryeministër, prej teje, prej nesh këtu, priten vendime. Askush nuk do të konsiderojë frikacak sepse iu nënshtrove presionit amerikan. Këtë gur në qafë e ke trashëguar dhe nuk ke pse e mban as përkohësisht në kundërshtim me interesat dhe kërkesat e popullit të Kosovës”, tha Gashi.
Kryetari i PKD-së, Kadri Veseli, tha se me mospërfilljen e kërkesave të SHBA-ve po dëmtohet qytetari i Kosovës. Ai e akuzoi kryeministrin Kurti për, siç e quajti ai, "orkestrim të frymës anti-amerikane që taktikisht mendoni ta mbani nën kontroll dhe ta menaxhoni tërësisht".
Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se mbajtja e tarifës pa reciprocitet është "pozicion ekstrem". Gjithashtu "pozicion ekstrem" e quajti edhe heqjen e plotë dhe të menjëhershme të tarifës pa e vendosur dhe pa e përmendur fare reciprocitetin.
Sipas Kurtit, presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, kanë bërë një marrëveshje të gatshme, të cilën dëshirojnë ta zbatojnë.
“Ajo çfarë po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës. Të thyhem unë paraprakisht si kryeministër në mënyrë që të marrë fuqi ai që në emër të Kosovës, në negociata sekrete ka bërë marrëveshje, që tash të gatshme, do ta servoj jo për të filluar dialog, por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog. Edhe vetëm 10 për qind të ishin gjasat që ka marrëveshje të gatshme, ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm. Dhe unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi”, tha Kurti.
Seanca e jashtëzakonshme në Kuvend erdhi një ditë pasi senatori amerikan, David Perdue, në twitter shkroi se SHBA do të duhet ta rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
Perdue, senator në Gjeorgji, e lidhi këtë me këmbënguljen e Kosovës për të mos e hequr tarifën ndaj Serbisë, prandaj, sipas tij, “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, SHBA ta rishqyrtojë praninë e saj atje”.
Kërkesën e senatorit Perdue e mbështeti edhe Donald Trump Junior, i biri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili po ashtu në twitter ripostoi mesazhin e Perdue, duke shtuar “Pajtohem. Janë 650 trupa amerikane në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi”.
Më i zëshmi në heqjen e tarifës ndaj Serbisë është emisari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili nuk është pajtuar as me heqjen e pjesshme të tarifës.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti, muajin e kaluar tha se pas konsultimeve me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim që nga 15 marsi të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Tarifa 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës u imponua në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Ramush Haradinaj si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe në arenën ndërkombëtare për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, një ditë pasi ajo nuk arriti të anëtarësohej në Organizatën e Policisë Ndërkombëtare INTERPOL. Pas kësaj, dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) u ndërpre nga pala serbe, duke u kushtëzuar me heqjen e tarifës për mallrat serbe.