Agim Sulaj
13 Nëntor 2019•Përditësim: 14 Nëntor 2019
Organizata Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE) ka organizuar në Prishtinë festivalin multikulturorë, për promovimin e identitetit dhe kulturës së komuniteteve RAE në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Festivali, i cili ka qenë i pari i këtij lloji, u tha nga organizatorët se synon të minimizojë përjashtimin social dhe të promovojë rolin e gruas në shoqëri për ofrimin e mundësive të barabarta.
Kryetari i Vetëvendosjes, njëherësh kandidat për kryeministër i Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti i cili mori pjesë në këtë ngjarje, tha se për të parë gjendjen e një shoqërie, nuk duhet ta shikojmë gjendjen e atyre që janë në majë, por atyre që janë në fund.
“Edukimi është çelësi i suksesit për individin por është edhe çelësi për progresin tonë si shoqëri, që të konkurrojmë në një botë të ideve dhe të dijes. Investimi në edukim nuk ka alternativë dhe duhet të jetë e do të jetë për të gjithë i barabartë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të angazhohem për një edukim publik cilësor pa pagesë i cili është vërtetë i barabartë në mundësi”, tha Kurti, i cili theksoi se vendi i fëmijëve nuk është në rrugë e duke kërkuar lëmoshë por në shkolla.
Kurti shtoi se nuk duhet që veçantia e dikujt të bëhet përjashtim për të. Ai tha se nuk mjafton vetëm toleranca, por duhet edhe bashkëpunimi për përmirësimin e gjendjes së këtij komuniteti, siç është e rregulluar me Kushtetutë dhe me ligje të Kosovës.
Një nga donatorët e kësaj ngjarjeje ka qenë edhe Ambasada e Zvicrës, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean–Hubert Lebet, i cili tha se gjendja e komunitetit rom nuk është e mirë, “në Evropë romët vdesin 5 deri në 12 vjet më herët se jo-romët”.
“Duhet një qasje sistematike nga qeveria dhe shoqëria për të bërë ndryshimin që do të zgjasë. Luftimi i diskriminimit ka nevojë për koordinim dhe përpjekje të qëndrueshme të në shumë sektorë. Sukseset e qëndrueshme do të shfaqen në një plan afatgjatë”, tha Lebet.
Festivali do të zgjasë dy ditë dhe synon të bëhet tradicional. Në ditën e parë ka pasur edhe ekspozitë me fotografi, ushqime, veshje si dhe argëtim me vallëzim e muzikë të këtyre komuniteteve.
Gjithashtu përgjatë periudhës dyditore, me panelistë të ndryshëm do të diskutohen probleme të ndryshme të këtyre komuniteteve, si gjuha e urrejtjes, martesat e hershme, dhuna në familje, etj.