Agim Sulaj
03 Qershor 2019•Përditësim: 04 Qershor 2019
Këshilli Ministror për Integrim Evropian i Qeverisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje ku është diskutuar raporti për Kosovën 2019 i Komisionit Evropian (KE), gjithashtu edhe zbatimi i axhendës për reforma evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë takim mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.
Kryeministri Haradinaj tha se raporti për Kosovën i KE-së, nuk i ka përfshirë disa aspekte të punës së Qeverisë së Kosovës, megjithëse tha se “është detyrë e Qeverisë t’i përvishen punës bazuar edhe në të gjeturat e këtij raporti".
“E kemi biseduar që ambicia jonë është statusi i kandidatit për Kosovën. Nuk mund të mbesim në vazhdimësi të kushtëzuar vetëm nga zbatimi i MSA-së. MSA duhet të ecë përpara por disa ngecje në zbatim të MSA-së janë të lidhura edhe me faktin e mosnjohjes së pesëshes dhe disa zhvillimeve të tjera. Kosova mundet në të njëjtën kohë të jetë ambicioze dhe të bëhet gati për statusin e kandidatit”, tha Haradinaj.
Ai tha se ajo që është pozitive për Kosovën është që po vazhdon të pranohet pos Qeverisë Gjermane edhe nga qeveritë e tjera veç e veç urgjenca për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se nuk ka më vend për tolerime kur është në pyetje mirëqenia e qytetarëve.
“Është e papranueshme gjithashtu sa i përket raportit të vendit që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve na përsëriten ndër vite dhe kemi ende shumë punë për të bërë tek zbatimi i legjislacionit, lufta kundër korrupsionit lufta kundër ekonomisë joformale, reformat zgjedhore. Këto janë të gjitha të gjetura të cilat i kemi evidentuar edhe ne vet”, tha Hoxha e cila theksoi se Kosova duhet të jetë titullare në adresimin e këtyre sfidave dhe që vlerësimet e tilla të mos përsëriten më.
Më 29 maj Kosova mori raportin nga Komisioni Evropian të cilin shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova ua dha krerëve të institucioneve. Apostolova theksoi progresin e Kosovës në administratë e sundim të ligjit, por nënvizoi edhe taksën, numrin e madh të zëvendësministrave në Qeveri e korrupsionin si probleme.