Agim Sulaj
13 tetor 2021•Përditësim: 13 tetor 2021
Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën ndaj kontrabandës së mallrave, në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është duke u kryer në katër rajone të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.
Në Mitrovicë të Veriut, e cila është e banuar nga një shumicë e qytetarëve serbë ka pasur edhe reagime të qytetarëve ndaj policisë, e cila ka përdorur edhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.
“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave, etj.”, njofton policia.
Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, njofton policia.
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente njofton se do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale.