Agim Sulaj
26 shtator 2022•Përditësim: 27 shtator 2022
Punonjësit e arsimit publik në Kosovë të kryesuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe ata të administratës publike kanë hyrë në muajin e dytë të grevës të nisur nga 25 gushti, raporton Anadolu Agency (AA).
Pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës dhe udhëheqësve sindikatës për të gjetur një zgjidhje që çon në ndërprerjen e grevës, rreth 300 mijë nxënës të nivelit të ulët dhe të mesëm arsimor ende nuk e kanë filluar vitin e ri shkollor 2022/23 derisa qytetarët po ashtu përballen me vështirësi në nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme në administratë.
Javë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me kreun e Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rrahman Jasharaj, por pa rezultate konkrete në drejtim të zgjidhjes së problemit.
Përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje ka bërë edhe institucioni i Kuvendit të Kosovës nëpërmjet debatit në seanca ndërsa vazhdimisht po kërkohet që Qeveria dhe udhëheqësit e sindikatave të dialogojnë për një zgjidhje.
Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se partia e tij është që Qeveria dhe sindikalistët të gjejnë një zgjidhje të përkohshme.
Hoxhaj theksoi se shumë ditë mësimore kanë humbur dhe se është në interes të Qeverisë dhe mësimdhënësve që të gjendet një zgjidhje kompromisi.
“Qëndrimi ynë si Parti Demokratike e Kosovës është të gjendet një zgjidhje e cila është e përkohshme dhe që Qeveria së bashku me sindikatën, të hyjë dhe të bëjë një zgjidhje afatshkurtër për muajin shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor ndërsa prej 1 janarit të jetë në fuqi Ligji i Pagave që do të duhej ta zgjidhte këtë problem. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet që nxënësit të kthehen në shkollë dhe grevat të ndërpriten por në të njëjtën kohë të plotësohen kërkesat minimale të Sindikatës së Arsimit”, tha Hoxhaj.
Kërkesa e sindikalistëve prej kohësh ka qenë 100 euro mbi pagë për çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave i cili ua rrit pagat me koeficient, për arsye të inflacionit.
Pikërisht për përballje me inflacionin, Qeveria e Kosovës nëpërmjet një pakoje ndihmuese ka ndarë ndër të tjera nga 50 euro për secilin punëtor të sektorit publik për muajt e mbetur të këtij viti, por, as pas kësaj sindikalistët nuk janë kthyer në punë.
Megjithë grevën e thirrur nga SBASHK-u, një numër shkollash publikë në Kosovë po vijojnë mësimin. Së fundmi paralajmërim për fillimin e procesit mësimor nga 27 tetori ka bërë edhe shkolla fillore "Hasan Prishtina" në Prishtinë por në të njëjtën kohë kanë deklaruar se “e përkrahin grevën”.
“Nga nesër, (e martë), të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Kryeministri Kurti ka deklaruar të dielën se sindikalistët po i shërbejnë opozitës dhe para se greva të bëhet për arsimin “bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar.