Agim Sulaj
22 Shtator 2023•Përditësim: 24 Shtator 2023
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, sot u shënua Dita Ndërkombëtare pa Makina, me ç’rast është bllokuar njëra nga rrugët kryesore për makina, për t'i lënë hapësirë qarkullimit me biçikleta, trotinetë dhe këmbësorëve, raporton Anadolu.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë-organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, grupin "Marakli t'biciklave" po shënojnë "Ditën Ndërkombëtare Pa Makina" në rrugën "Dëshmorët e Kombit" në qendër të Prishtinës.
Kjo rrugë është mbyllur për qarkullimin e makinave nga ora 10:00 deri në orën 15:00. Në bazë të vendimit të Komunës së Prishtinës edhe autobusët e "Trafikut Urban" do të kenë ndryshim të përkohshëm gjatë ditës në rrjedhën e qarkullimit të tyre në disa linja.
Dita Ndërkombëtare pa Makina synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.
Që prej vitit 1988 në Paris ka filluar të shënohet kjo ditë dhe brenda katër viteve ka arritur të bëhet Dita Botërore e Lëvizjes pa Makina në të gjithë botën.