Agim Sulaj
19 korrik 2025•Përditësim: 21 korrik 2025
Vetëm edhe një javë për skadimin e afatit të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është shënuar përpjekja e 49-të me radhë e dështuar, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji i vitit 2025, propozoi krijimin e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.
Nga deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 50 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
"Për sot ndërpritet seanca, takohemi më 21 korrik 2025 në ora 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Të enjten, presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media tha se nëse edhe këtë fundjavë nuk ka zgjidhje për bllokadën e krijuar në procesin e konsitutimit të Kuvendit, në fillim të javës që vjen do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Osmani tha se afati i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet ose për mos respektim duhet të ketë pasoja juridike.
Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja e LVV-së, Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga LVV-ja dhe nëntë nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu, por pa bërë të ditura pasojat e moszbatimit të këtij afati.