Agim Sulaj
18 Korrik 2020•Përditësim: 19 Korrik 2020
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i është adresuar me një video-mesazh qytetarëve një ditë pasi u kthye në Kosovë nga procesi i intervistimit të tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Thaçi i cili u intervistua për katër ditë rresht nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë, tha se pas rreth 30 orëve të ballafaqimit me trupën e organit të akuzës, ka “respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund të së vërtetës”.
Thaçi tha se nuk do të hyjë në detaje të procesit të dhënies së dëshmisë në Hagë, por theksoi se ky proces nuk do ta rishkruaj historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të shtetformimit.
“Ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik. Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet”, theksoi presidenti Thaçi.
Thaçi tha se për të personalisht, Kosova është para çdo interesi tjetër, e për një parim të tillë i luti të gjithë, që Kosovën ta vendosin mbi dallimet politike, partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme.
Presidenti tha se Kosova është për forcim të demokracisë, rritje të mirëqenies e ndërtim të urave të paqes së qëndrueshme mes vete dhe fqinjëve.
“Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota. Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës”, theksoi ai.
Thaçi shtoi se dialogu i Kosovës me Serbinë duhet të zhvillohet me një unitet shembullor të palës kosovare, sikurse ka ndodhur në konferencat e mëhershme në Rambuje, Vjenë dhe Bruksel.
Presidenti Thaçi bashkë me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe të tjerë, në aktakuzën e bërë publike më 24 qershor, pretendohet se janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.