Agim Sulaj
01 qershor 2026•Përditësim: 01 qershor 2026
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se procesi i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) nuk ka dështuar, transmeton Anadolu.
Gjatë një debati televiziv, kryeministri në detyrë njëherësh kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje edhe për një mandat, theksoi se gjatë procesit të dialogut janë arritur marrëveshje, por problemi kryesor, sipas tij, mbetet moszbatimi i tyre nga ana e Beogradit.
Kurti tha se Marrëveshja Bazike e Brukselit dhe Aneksi i saj i Ohrit nuk është e mirë, por që ka bazë për tutje.
"Dialogu nuk ka vdekur. Ka pasur sukses, ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që marrëveshjen s'e nënshkruan Serbia e as nuk po e respekton. Serbia përditë po e shkel. Unë e kam pranuar marrëveshjen. Ajo nuk është e shkëlqyeshme, por është bazë e mirë për më tutje. Edhe duket që Beogradi ka besuar që unë do të them jo për marrëveshje, por unë kam thënë po, dhe kur e kanë pa ku janë ndodhur, nuk kanë pranuar ta nënshkruajnë", tha ai.
Kurti ka vendosur tre kushte për vazhdimin e dialogut me Serbinë: dorëzimi i Milan Radoiçiqit te autoritetet e Kosovës, tërheqja zyrtare e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij, pa nënshkrim të marrëveshjes nuk ekziston siguria juridike, nuk ekziston kredibiliteti i procesit dhe as mirëbesimi i palëve.
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka theksuar disa herë që formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga pala kosovare të jetë "një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog".