Agim Sulaj
02 Maj 2026•Përditësim: 02 Maj 2026
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Xhamia e Ibrit, e cila gjendet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës do të rindërtohet, transmeton Anadolu.
Kurti në rrjetet sociale tha se për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, e cila u ndërtua në vitin 1777 ndërsa u dogj gjatë periudhës së luftës në Kosovë më 2 maj të vitit 1999, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Kurti njoftoi se së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj.
“Me këtë memorandum, Qeveria e Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, shkroi Kurti.
Kryeministri në detyrë njoftoi se po ashtu ka nënshkruar edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me BIK-un, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.
“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999”, njoftoi Kurti, duke shtuar se investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.