Dzihat Aliju
07 Maj 2026•Përditësim: 07 Maj 2026
Sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u organizua takim i Këshillit Botëror Turk të Biznesit (DTIK), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Turqia dhe nga vendi, raporton Anadolu.
Takimi u organizua nën mikpritjen e përfaqësuesit të DTIK-së për Maqedoninë e Veriut, Fatih Sahbaz, dhe në të morën pjesë zëvendësministri i Tregtisë i Turqisë, Mahmut Gurcan, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Këshillit të Përfaqësuesve për Ballkanin në DTIK, Levent Sadik Ahmet, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike të Turqisë (DEIK), Adem Yavuz si dhe kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni–Turqi (MATTO), Aydogan Ademoski, së bashku me shumë të ftuar të tjerë.
Gjatë takimit, zëvendësministri Gurcan theksoi se i ndjek nga afër aktivitetet e DTIK-së dhe i vlerëson ato si të suksesshme dhe të rëndësishme.
Ambasadori Ulusoy u bëri thirrje biznesmenëve që të forcojnë bashkëpunimin me Lidhjen e Shoqatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë së Veriut (MATUSITEB), e cila prej shumë vitesh vepron në vend si dhe të vlerësojnë të rinjtë e diplomuar në degët e Gjuhës dhe Letërsisë Turke për punësim.
Nga ana e tij, Sahbaz theksoi se ky takim është një platformë e rëndësishme për forcimin e strukturimit rajonal, rritjen e koordinimit mes biznesmenëve turq dhe avancimin e marrëdhënieve ekonomike mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit.
Ndërkaq, Ahmet nënvizoi se përfaqësimi i grave në botën e biznesit është ende i pamjaftueshëm dhe njoftoi se në shtator është planifikuar një takim i veçantë për sipërmarrëset gra.