Agim Sulaj
06 Qershor 2022•Përditësim: 06 Qershor 2022
Policia e Kosovës ka thënë se bazuar në informacionet e deritanishme të këtij institucioni dy zyrtarë policorë janë lënduar në protestën e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para Kuvendit të Kosovës, për ta kundërshtuar ndryshimin e projektligjit i cili i përjashton ata si përfitues të rritjes së pagës minimale, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor”, njofton Policia duke theksuar se edhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e gazit/tymit të hedhur.
Policia ka mohuar të ketë qenë ajo/zyrtarët e saj ata të cilët kanë hedhur gaz-lotsjellës në protestë, por kanë thënë se janë kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherësh demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thekson Policia.
Qindra veteranë të luftës provuan të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës pak para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës ku do të shqyrtohej projektligji me qëllim të përjashtimit të veteranëve si përfitues të rritjes së pagës minimale, por hasi në rezistencën e formuar nga trupat e Policisë së Kosovës që formuan një kordon para dyerve të ndërtesës.
Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për ta votuar Projektligjin për pagën minimale, ngase pro tij votuan vetëm 51 deputetë.