Abdula Berisha
13 Tetor 2022•Përditësim: 14 Tetor 2022
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ka filluar edicioni i 41-të i “Festivalit të Xhazit në Shkup”, raporton Anadolu Agency (AA).
Entuziastët e muzikës xhaz do të kenë mundësi deri më 16 tetor të shijojnë veprat e artistëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Drejtori i festivalit, Oliver Belopeta, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se me qasjen e tij inovative, “Festivali i Xhazit në Shkup” gëzon një reputacion të madh dhe është ndër festivalet më të njohura në botën e muzikës xhaz.
Ai tha se si uverturë e festivalit dje u shfaq dokumentari “Vera e shpirtit” (Summer of soul), i cili nxjerr në pah rolin dhe rëndësinë e historisë për mirëqenien shpirtërore dhe është dëshmi e fuqisë së muzikës në kohë trazirash.
“Festivali i Xhazit i Shkupit” mbahet në Operën dhe Baletin Kombëtar, ku sonte performoi dirigjenti dhe kompozitori Rob Mazurek së bashku me Orkestrën Fame’s Chamber, si dhe treshen vendase Zulu 3.4.
“Festivali i Xhazit i Shkupit” është një nga manifestimet kryesore kulturore në Maqedoninë e Veriut, me një traditë prej 41 vitesh radhazi dhe me reputacion në Evropë dhe botë, dhe është ndër festivalet kryesore të xhazit në Evropë. Festivali filloi në vitin 1982 dhe është anëtar i shoqatës prestigjioze “European Jazz Network”.