Abdulbesar Ademi
08 Prill 2026•Përditësim: 08 Prill 2026
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka publikuar një deklaratë të përbashkët mbi dialogun strategjik me SHBA-në, pas seancës së dytë të Dialogut Strategjik të mbajtur në Washington, duke riafirmuar përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, sesioni u drejtua nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski dhe zv/sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.
“Deklarata e Përbashkët riafirmon angazhimin e përbashkët për të thelluar më tej partneritetin strategjik dhe për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik”, tha ministria.
Më tej, thuhet se bashkëpunimi i zgjeruar u theksua në fusha kyçe, përfshirë energjinë dhe ekonominë, mbrojtjen dhe sigurinë në kuadër të NATO-s, si dhe sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë digjitale.
Po ashtu theksohet se theks i veçantë iu kushtua diversifikimit të energjisë dhe rritjes së sigurisë së furnizimit me gaz natyror, si dhe përmirësimit të klimës së investimeve dhe marrëdhënieve tregtare.
“Dy vendet gjithashtu riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe kontributin brenda NATO-s, si dhe mbështetjen për Ukrainën. Po ashtu parashikohen aktivitete specifike për të përmirësuar sigurinë kibernetike, përmes asistencës teknike, vlerësimit të infrastrukturës kritike dhe forcimit të kapaciteteve institucionale”, tha ministria.
Në fushën e sigurisë, thuhet më tej, u theksua intensifikimi i bashkëpunimit në përballjen me krimin transnacional, migrimin e paligjshëm dhe forcimin e sigurisë kufitare, me mbështetje specifike financiare dhe teknike për institucionet.
Për më tepër, në kuadër të dialogut u dakordësuan iniciativa për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve përmes përfshirjes në programet për udhëtarë të besueshëm.
“Dialogu Strategjik vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve transatlantike dhe konfirmon rolin e Maqedonisë së Veriut si një aleat dhe partner i besueshëm i SHBA-së”, tha ministria maqedonase.