Agim Sulaj
09 Shkurt 2020•Përditësim: 10 Shkurt 2020
Udhëheqës të institucioneve të larta në Kosovë, njerëz nga bota e artit, bashkëpunëtorë dhe mijëra qytetarë kanë bërë homazhe në Prishtinë në nderim të këngëtares kosovare që ndërroi jetë të premten, Nexhmije Pagarusha, raporton Anadolu Agency (AA).
Akademia përkujtimore që filloi nga ora 09:00 në mëngjesin e së dielës u mbajt në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe zgjati deri në ora 11:30, ku mysafirë të shumtë nderuan veprën e "Bilbilit të Kosovës", si dhe ngushëlluan familjarët e së ndjerës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë akademisë përkujtimore tha se muzika dhe arti kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar. Ai theksoi se ata që e kishin fatin ta njihnin për së afërmi, e kishin kënaqësinë ta njihnin thjeshtësinë e saj.
“U shua fizikisht, për t’u lartësuar përjetësisht si një ndër figurat më të ndritura të kombit tonë. Përtej krijimtarisë së çmuar, mësimi që na la pas është ai i sfidimit të shanseve për sukses, i luftimit të paragjykimeve e të padrejtësive, i punës së palodhshme e të pandalshme dhe dashurisë së madhe për vendin”, tha Kurti.
Më parë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar me anëtarët e kabinetit, ngushëlloi familjen e këngëtares dhe vendosi lule para fotografisë së saj në Teatrin Kombëtar.
Osmani tha se Nexhmije Pagarusha nuk ishte vetëm këngëtare, por një personalitet që rrezatonte dashuri dhe mirësi.
“Për kulturën shqiptare ajo bëri atë çfarë bënë yjet e mëdha botërore për gjithë globin. Nexhmija jo vetëm që krijoi perla të muzikës, por e krijoi edhe shoqërinë e vlerave siç bëri edhe Vaçe Zela e shumë artiste të tjera shqiptare. Nexhmije Pagarusha tashmë është shndërruar në vlerë historike të popullit tonë”, tha Osmani.
Pjesëmarrës në homazhe ishte edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili nuk u prononcua.
Ndërkohë, në emër të komunitetit artistik, kompozitori Rafet Rudi, tha se Nexhmija ka përfaqësuar bukurinë e muzikës popullore. Sipas tij, bukuria e zërit të saj “ka përcaktuar koordinatat e muzikës popullore”.
Mbesa e Nexhmije Pagarushës, Mirjeta Pagarusha, theksoi se ajo u ka kushtuar kohë për t'ua treguar sfidat e jetës së saj. Sipas saj, dy vitet e fundit për këngëtaren nuk kanë qenë të lehta, për shkak të shëndetit.
Pas homazheve në Teatrin Kombëtar, kortezhi funeral ka parakaluar përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” përcjellë nga qytetarë të shumtë. Ajo do të varroset në ora 14:30 në fshatin e lindjes, në Pagarushë të Malishevës, në rajonin e Prizrenit.
Ministria e Kulturës ka njoftuar se “ceremonia e varrimit do të jetë private”.
“Bilbili i Kosovës” la pas një veprimtari muzikore 40-vjeçare, me 5 albume e 80 këngë. ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj.
Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Së fundi, ajo ka shërbyer si këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Radio “Blue Sky”.