Furkan Abdula
13 Janar 2020•Përditësim: 14 Janar 2020
Me rastin e Vitit të Ri në bazë të vitit të vjetër, të kalendarit Julian, në komunën e Vevçanit zyrtarisht u zhvillua manifestimi tradicional "Karnavali i Vevçanit", që konsiderohet si një nga kuriozitetet më unike dhe kulturore në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë me një traditë mbi 1.400 vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).
Karnevali i Vevçanit njihet si manifestim provokues përmes shfaqjes së maskave dhe personifikimeve të ndryshme.
Kryetari i komunës së Vevçanit, Sasho Jankoski, për AA theksoi se Karnevali i Vevçanit ka ekzistuar mbi 14 shekuj dhe se ka një traditë të gjatë.
"Deri më tani kemi pasur numër të madh të vizitorëve, po ashtu edhe të huaj. Kjo është një simbiozë e zakoneve pagane, të ndërthurura me zakone të krishtere. Karnevali është çështje e pastër pagane. Megjithatë, ka rastësuar kalimin nga i vjetri në vitin e ri sipas kalendarit të vjetër, kështu edhe festohet", tha Jankoski.
Karnavali i Vevçanit, tashmë tradicionalisht, filloi nga 10 janari dhe përfundon nesër, më 14 janar. Në dy prej pesë ditëve të planifikuara organizatorët përgadisin program atraktiv muzikor, ndërsa sot, një ditë para përfundimit, grupe me persona të maskuar aktrojnë rrugëve të komunës së Vevçanit.
Me rastin e Vitit të Ri në bazë të vitit të vjetër, të kalendarit Julian, në komunën e Vevçanit zyrtarisht u zhvillua manifestimi tradicional "Karnavali i Vevçanit", që konsiderohet si një nga kuriozitetet më unike dhe kulturore në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë me një traditë mbi 1.400 vjeçare. Karnevali i Vevçanit njihet si manifestim provokues përmes shfaqjes së maskave dhe personifikimeve të ndryshme. ( Furkan Abdula - Anadolu Agency )
Karnevali filloi me shfaqjen e grupeve të maskuara të personave në Lagjen e Epërme dhe të Ulët të fshatit, të cilët përmes maskave të tyre përcollën mesazhe, si dhe kritika për ngjarjet e vitit 2019 në vend, rajon dhe më gjerë.
Me qëllim për të paraqitur ngjarjet e vitit të kaluar në një mënyrë kritike dhe satirike, pjesëmarrësit mbanin maska që simbolizonin rrugën e Maqedonisë së Veriut për në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, demonstrimet me jelekë të verdhë në Francë, por nuk munguan as maskat ku u paraqitën zyrtarë të shtetit, si dhe shumë personalitete të tjera dhe ngjarje nga sfera të ndryshme.
Manifestimi përfundon nesër me djegien e maskave, me të cilën besohet se njerëzit do të çlirohen nga e keqja, ndërsa viti vijues do të jetë më i mirë dhe me më shumë të ardhura.
Në Karnavalin e Vevçanit "dhëndri" dhe "nusja" janë maskat kryesore të cilët natën mes 13 dhe 14 janarit janë të detyruar t’i vizitojnë të gjithë, rreth 700 shtëpi të Vevçanit, për të mbledhur para që destinohen për donacione.
"Karnavali i Vevçanit" konsiderohet si një prej kurioziteteve më të mëdha unike dhe kulturore në Maqedoninë e Veriut me traditë 1.400 vjeçare. Ky karnaval përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjellë mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar të njëjtat. Komuna e Vevçanit dhe "Karnavali i Vevçanit" janë anëtare të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC).
Komuna e Vevçanit zakonisht porositë që asnjë komunitet që jeton në Maqedoninë e Veriut të mos zemërohet me veprimet dhe maskimet e karnevalit, ndërkohë apelon që të mos ketë ndarje mes qytetarëve, pa marrë parasysh fenë apo komunitetin etnik, pasi që ky karneval e paraqet vendin si shtet multi-etnik.