Saimir Alija
24 Janar 2020•Përditësim: 25 Janar 2020
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti sot në një takim presidentin e Këshillit Evropian (KE), Charles Michel, i cili realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit, Rama dhe Michel mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në Pallatin e Brigadave në Tiranë, të cilët folën mbi temat e diskutuara në takim dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe i interesuar në mënyrë të posaçme për rajonin tonë. Unë e falënderoj presidentin e KE-së, për ndihmën pas 26 nëntorit si dhe për angazhimin e tij për konferencën e donatorëve më 17 shkurt që ajo të jetë e suksesshme”, u shpreh Rama.
“Evropa është pranë dhe nuk do na lërë vetëm në përpjekjen për rindërtimin”, deklaroi më tej kryeministri i Shqipërisë, duke folur për rindërtimin e vendit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Në vijim, Rama theksoi se gjatë takimit me Michel ka folur dhe për integrimin evropian të vendit “për ato çfarë kemi arritur dhe çfarë duhet bërë si për diskutimin e brendshëm në BE, për metodologjinë e re të zgjerimit. Më vjen mirë që ai ka shprehur vullnetin për të qenë i angazhuar për rajonin në integrimin e mëtejshëm”.
“Në tërësi më vjen mirë që ka shprehur vullnetin për të qenë i angazhuar për rajonin në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe qasjes së re të Brukselit në raport me zhvillimin social të rajonit”, tha Rama.
Presidenti i KE-së, Charles Michel, në fjalën e tij tha se në javët në vijim në Bruksel do të zhvillohet një debat i cili do të bazohet në një strategji me tre shtylla, ku do të përfshihen sipas tij, formulimi i modernizimit të zgjerimit, propozimi i KE-së për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe pakti i investimeve për ekonominë e Ballkanit.
“Dua t’ju ngushëlloj personalisht dhe nga BE-ja për tragjedinë e nëntorit dhe pohoj solidaritetin ndaj jetëve që humbën dhe familjeve të goditura. Përtej fjalëve dhe mëshirës dhe mbështetjes duam të ofrojmë mbështetje reale për vendin tuaj. Kemi patur mundësinë të dialogojmë përsëri intesivisht”, u shpreh ai.
“Në javët e ardhshme në tryezën e KE-së do të kemi këtë temë, do të kemi rastin të debatojmë, por shpresoj të marrim vendime për orientimin e Shqipërisë drejt BE-së. KE-ja duhet të jetë e qartë për propozimin dhe do të jetë një dialog i rëndësishëm dhe i përgjegjshëm. Unë do të inkurajoj KE-në që të vendosë. Është thirrja dhe mobilizimi që duhet të bëhet për një pakti investimesh për Ballkanin Perëndimor me qëllim që të inkurajohet zhvillimi ekonomik që është një kusht kyç për të çuar përpara të gjitha bashkëpunimet rajonale”, tha Michel.
Sipas tij, fati i Shqipërisë duhet të jetë krejtësisht drejt BE-së. “Është bindje e fortë dhe duam ta vazhdojmë këtë dialog. Duhet angazhim që të vijohen përpjekjet për reformat, për luftën kundër krimit, që të vazhdojmë të punojmë bashkë. E ardhmja e këtij rajoni është drejt Evropës dhe ne na takon që të punojmë bashkë me këtë objektiv dhe ambicie”, tha presidenti i KE-së, Michel.
Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.