Fatjon Cuka
10 Qershor 2020•Përditësim: 11 Qershor 2020
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, po realizon një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës, transmeton Anadolu Agency(AA).
Gjatë ditës së sotme, ministri Cakaj ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në "Listën e Luginës së Bashkuar", që do të marrë pjesë në zgjedhjet e radhës parlamentare në Serbi.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me vizitën, Cakaj u shpreh se "Pas një vale të gjatë takimesh me përfaqësuesit politikë të partive pjesëmarrëse në Listën e Luginës së Bashkuar, theksuam rëndësinë e patjetërsueshme të ruajtjes së unitetit të brendshëm dhe nevojën e punës së përbashkët për mbrojtjen e lartësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës".
"Ne do të ecim bashkë e do të veprojmë të bashkërenduar për të bërë më të mirën për Luginën e shqiptarët në çdo kohë e çdo rrethanë", ka shkruar Cakaj.
Ministria Cakaj do të qëndrojë në Luginën e Preshevës në datat 10-12 qershor, ku do të realizojë takime me zyrtarë të ndryshëm.