Abdula Berisha
30 gusht 2023•Përditësim: 31 gusht 2023
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, ka mbërritur për vizitë në Maqedoninë e Veriut ku është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, raporton Anadolu.
Ministrat zhvilluan fillimisht një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga një takim dypalësh mes delegacioneve. Në konferencën e përbashkët për media, u theksua se kjo është një vizitë historike e një ministri të Jashtëm kanadez në Shkup, e para në 25 vjet.
Ministri Osmani tha se ka pasur takim produktiv në të cilin janë hapur çështje të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe, të cilat janë ngritur në nivelin e partneritetit strategjik para disa viteve.
Ai tha se për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik është iniciuar një vizitë e një delegacioni biznesi nga Kanadaja në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se ka potencial shumë më të madh për bashkëpunim ekonomik dhe në të ardhmen do t'i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj teme.
"Edhe pse të largëta gjeografikisht, dy vendet tona janë të lidhura fort nga diaspora jonë e shumtë në Kanada, e vendosur kryesisht në shtetin Ontario. Ata janë banorë krenarë të një vendi multietnik dhe të begattë si Kanadaja, por në të njëjtën kohë krenarë për rrënjët e tyre nga Maqedonia e Veriut", tha mes tjerash Osmani, duke theksuar rëndësinë e rolit të diasporës në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.
Kryediplomatja kanadeze, Melanie Joly tha se në takim janë diskutuar shumë tema, ndër të cilat theksoi bashkëpunimin brenda aleancës NATO. Ajo falënderoi Maqedoninë e Veriut për pjesëmarrjen e forcave të saj në kuadër të forcave të NATO-s në Letoni, të cilat janë nën komandën e Kanadasë.
"Siç e dini shumë mirë, bota ka qenë e sfiduar për 18 muajt e fundit dhe kjo vizitë e rëndësishme në Slloveni, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri vjen në një moment vendimtar. Në mbarë botën ne shohim guxim në rritje nga sundimtarët autoritarë, përdorimin e informacionit si një armë dhe demokraci që janë nën kërcënim. Kanadaja synon të mbështesë demokracitë e prekura drejtpërdrejt nga lufta e pajustifikuar e Putinit kundër Ukrainës", tha Joly.
Ajo përshëndeti rolin e Maqedonisë së Veriut si një partner konstruktiv dhe urë lidhëse në Ballkanin Perëndimor.
Kryediplomatja kanadeze shprehu edhe mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se asnjë vend nuk mund të arrijë i vetëm atë që disa vende mund ta arrijnë së bashku.
Në kuadër të vizitës në Shkup, ministrja Joly do të takohet me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.