Agim Sulaj
27 gusht 2026•Përditësim: 27 gusht 2026
Shefja në detyrë e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar takime lamtumirëse me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, raporton Anadolu.
U.D. Presidentja Haxhiu, duke e falënderuar Palatovan për bashkëpunimin dhe angazhimin e saj gjatë shërbimit në Kosovë, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për proceset e rëndësishme të vendit.
Gjatë takimit, Haxhiu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe të avancimit të mëtejmë të Kosovës në rrugën e saj evropiane.
Ndërkaq, në takimin me Kurtin, Palatova ka përsëritur thirrjen e BE-së për formim të institucioneve të Kosovës dhe tejkalim të ngërçit politik.
“Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve të Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE”, thuhet në një njoftim zyrtar.
Tutje, Zyra e BE-së në Kosovë ka shkruar se “BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës”.
BE-ja tashmë ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schuebel si ambasadorin e ri në Kosovë, ndërsa ai pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 1 shtator 2026.
Aktualisht, partia që ka fituar zgjedhjet e 7 qershorit 2026, Lëvizja Vetëvendosje, është duke negociuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjidhjen e çështjes së presidentit.