Agim Sulaj
25 Dhjetor 2020•Përditësim: 26 Dhjetor 2020
Policia e Kosovës mbetet institucioni më i besueshëm i organeve të rendit dhe ligjit derisa besimi i qytetarëve në institucionet gjyqësore në Kosovë mbetet shumë i ulët, raporton Anadolu Agency (AA).
Kështu u tha në një konferencë për media të mbajtur nga Drejtësia Sot – platformë e organizatës Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GPLS), ku u shpalos raporti "Indeksi i Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë".
Hulumtuesja e Drejtësia Sot, Rreze Hoxha-Zhuja tha se sipas raportit të bazuar në anketa me qytetarë, 68,5 për qind e qytetarëve besojnë se politika i bën të paprekshëm politikanët nga sistemi i drejtësisë, ndërsa vetëm 21,4 për qind mendojnë se qytetarët janë të barabartë para gjyqësorit, ndërsa pjesa e mbetur janë deklaruar se nuk e dinë.
"Në krahasim me dy vitet e kaluara, trendi është negativ meqë e kemi një rritje prej 8,8 për qind të besimit se politikanët janë të pandëshkueshëm dhe shikuar si tërësi ky indikator tregon se për afërsisht 70 për qind e popullatës besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia. Për më tepër, sipas të dhënave të raportit vetëm 63,7 për qind prej qytetarëve i besojnë pak gjykatave dhe prokurorive, sepse mendojnë se të njëjtat kanë influencë të madhe nga politika. Ndërsa organet më pak të influencuara besohet të jenë Policia dhe EULEX-i", theksoi Hoxha-Zhuja.

"76,6 për qind e qytetarëve të gatshëm të raportojnë korrupsionin dhe krimet e tjera"
Raporti vë në pah se 48,1 për qind e qytetarëve besojnë se Policia e Kosovës është më efikasja në luftën kundër korrupsionit, ndërsa 7,2 për qind e qytetarëve besojnë se gjykatat janë efektive në luftimin e këtij fenomeni negativ në shoqëri, dhe vetëm 4,8 për qind besojnë në efikasitetin e prokurorisë.
Siç u tha në konferencë, krahasuar me vitin e kaluar, besimi Policia është institucioni më efikas në luftën kundër korrupsionit u rrit për 18,5 për qind.
"Në krahasim me vitin e kaluar të dhënat tregojnë për vlerësim pozitiv të qytetarëve sa i përket këtyre tri institucioneve lidhur me mundësinë e tyre që t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrë të pavarur. Më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë, vetëm 30,7 për qind e tyre besojnë se kanë vërejtur efekte pozitive në këtë aspekt. Prej tyre, 12,7 për qind mendojnë se ka më pak ndikim të politikanëve mbi gjyqtarët", theksoi Hoxha-Zhuja.
Hoxha deklaroi se gati 76,6 për qind e qytetarëve janë shprehur të gatshëm të raportojnë korrupsionin dhe krimet e tjera, dhe ashtu sikurse në anketat e mëparshme, qytetarët së pari për këtë do t'i drejtoheshin Policisë së Kosovës, madje 88,1 për qind.
Raporti i GPLS-së është bazuar në të dhënat e anketimit të qytetarëve mbi 18 vjeç gjatë muajit shtator të këtij viti me mbi 1 mijë respondentë të përkatësisë shqiptare, serbe dhe të komuniteteve tjera nga i gjithë territori i Kosovës.