Mustafa Talha Öztürk
13 shkurt 2026•Përditësim: 13 shkurt 2026
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është “një lider i madh botëror” dhe e përshkroi Turqinë si një nga partnerët më të rëndësishëm të Beogradit, pas asaj që ai i quajti bisedime shumë produktive në Ankara, transmeton Anadolu.
“Erdogani është një lider i madh botëror, Turqia është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm. Patëm bisedime jashtëzakonisht produktive për të gjitha çështjet. Falënderime të pafundme për mikpritjen e jashtëzakonshme presidentit Erdogan, mezi presim t’ju mirëpresim në Serbi”, shkroi Vuçiç në platformën amerikane të rrjeteve sociale X, pasi përfundoi një vizitë njëditore dje në Turqi.
Gjatë qëndrimit në Ankara, Vuçiq zhvilloi një takim dypalësh me Erdoganin në Pallatin Presidencial dhe theksoi se Serbia e njeh rëndësinë politike dhe ekonomike të Turqisë, duke e cilësuar atë si një nga partnerët më të rëndësishëm të vendit.
Vuçiq falënderoi Erdoganin për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe shprehu shpresën se presidenti turk do ta vizitojë Serbinë brenda tre deri në katër muajt e ardhshëm, kur mund të nënshkruhen disa dokumente të rëndësishme.
Gjatë vizitës, Erdogan theksoi përpjekjet e Turqisë për të promovuar nisma rajonale të bazuara në pronësinë rajonale, duke përmendur takimin e dytë të Platformës së Paqes së Ballkanit të mbajtur në Stamboll më 23 janar të vitit 2026, si dhe falënderoi Vuçiqin për mbështetjen e tij personale për këtë platformë.
Erdogan e cilësoi vizitën e Vuçiqit si shumë të vlefshme për avancimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
“Në dashtë Zoti, do të zhvillojmë edhe një vizitë në Beograd dhe Novi Pazar në maj ose qershor me një delegacion të madh”, tha ai.
Pas takimit, Erdogan shtroi një darkë në nder të Vuçiqit.
Anëtarë të delegacionit serb ishin ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, ministrja e Ekonomisë, Adrijana Mesaroviq, ndihmësministri i Mbrojtjes, Nenad Radomiroviq, si dhe ministri pa portofol përgjegjës për pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin social, Usame Zukorliq.