Agim Sulaj
14 Korrik 2020•Përditësim: 15 Korrik 2020
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar procesin e intervistimit në ditën e dytë në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë të Holandës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sot në procesin e intervistimit Thaçi ka hyrë rreth ora 13:00 në mesditë dhe ka zgjatur për më shumë se 5 orë.
Presidenti i Kosovës i cili ka dalë nga hapësirat e gjykatës rreth orës 19:00 pasdite nuk është deklaruar për media pasi ka përfunduar procesin e intervistimit, por është bërë e ditur se intervistimi i tij do të vazhdojë së paku edhe nesër nga ora 13:00 në mesditë.
Ndryshe nga dje, nuk është bërë e ditur se për çfarë është pyetur në ditën e dytë presidenti Thaçi i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte.
Bashkë me ish-kryeparlamentarin Veseli dhe të tjerë, në aktakuzën e bërë publike më 24 qershor, pretendohet se Thaçi dhe Veseli si dhe të dyshuar të tjerë, janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.