Agim Sulaj
18 nëntor 2026•Përditësim: 18 nëntor 2026
Forumi Ekonomik Kosovë-Poloni po mbahet në Prishtinë nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) të Kosovës, raporton Anadolu.
Ky është forumi i tretë ekonomik i këtij lloji që organizohet brenda katër vjetësh, me qëllim të zgjerimit të shkëmbimeve tregtare, nxitjes së investimeve dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.
Ministrja e MINTI-së, Mimoza Kusari-Lila tha se bazuar në të dhënat e viteve të fundit, importet nga Polonia kanë zëvendësuar importet nga Serbia në Kosovë. Ajo tha se kjo tregon se qëndrimi politik i Kosovës dhe situata aktuale në Ballkanin Perëndimor dëshmojnë vendosmërinë dhe pjekurinë e bizneseve për të gjetur alternativa dhe për të zëvendësuar importet nga Serbia.
"Në vitin 2025, Kosova eksportoi në Poloni mallra në vlerë prej rreth 3.5 milionë eurosh, që përfaqëson një rritje prej 20 për qind krahasuar me vitin 2024. Gjatë të njëjtit vit, importet nga Polonia arritën vlerën prej rreth 272 milionë eurosh, me një rritje prej 30.7 për qind", theksoi Kusari-Lila.
Ajo tha tutje se bashkëpunimi ekonomik shtrihet përtej tregtisë së mallrave, duke shtuar se në vitin 2024, Kosova eksportoi shërbime në vlerë prej vetëm 23.5 milionë eurosh ndërsa importoi shërbime në vlerë prej 18 milionë eurosh.
Sipas ministres Kusari-Lila, kjo dëshmon rëndësinë në rritje të sektorit të shërbimeve dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit, zgjidhjeve digjitale, konsulencës dhe aktiviteteve të tjera të bazuara në dije.
Drejtori për Zhvillim Ndërkombëtar në Bankën Polake për Zhvillim, Tomas Bielinski tha se në vetëm 10 vjet, deri në vitin 2025, ekonomia polake është rritur më shumë se trefish, kështu duke bërë që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Polonisë të shënojë një rritje të dukshme.
"Nuk e di se sa prej jush kanë qenë në Poloni, por nëse dikush e ka vizituar atë para 30 apo 20 vjetësh dhe e viziton sot, do të shohë një ndryshim rrënjësor. Sot kemi një vend krejtësisht të ri, modern. Disa polakë madje do të thoshin se ka ndodhur një mrekulli", tha Bielinski.
Ai tha se kjo është rezultat i shumë faktorëve që kanë funksionuar së bashku dhe kanë dhënë rezultate të mira duke bërë që PBB-ja për frymë të afrohet me mesataren e Bashkimit Evropian dhe hendeku në të ardhura të ngushtohet ndjeshëm.
Forumi do të përqendrohet në tri fusha kryesore: qeverisjen digjitale dhe ekonominë digjitale; mbrojtjen, sigurinë dhe teknologjitë e sigurisë kibernetike, përfshirë teknologjitë me përdorim të dyfishtë si dhe prodhimin e avancuar, infrastrukturën dhe energjinë.