Agim Sulaj
27 Nëntor 2019•Përditësim: 28 Nëntor 2019
Në ditën e dytë me radhë janë duke vazhduar gërmimet në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, konkretisht në parkingun e Fakultetit të Arteve ku po dyshohet për varrezë masive, raporton Anadolu Agency (AA).
Punimet që nisën të martën në orën 9 të mëngjesit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore së bashku me Prokurorinë Speciale dhe përfaqësues nga Qeveria, rezultuan pa gjetjen e ndonjë mbetjeje mortore.
Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, në një prononcim për AA tha se dje u hapën tre kanale në pjesën e parë të lokacionit në thellësi e gjatësi të ndryshme (në përputhje me arkeologët mjeko-ligjorë), dy kanale deri në 20 metra dhe i treti deri në 10 metra të gjatë por nuk është gjetur asnjë mbetje mortore.
Ai theksoi se e gjithë hapësira është shënuar sipas informacionit të dhënë nga urdhri i Prokurores Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, me të cilat gërmimet po vazhdojnë edhe sot.
"Sot po vazhdohet me ditën e dytë dhe kemi filluar me hapjen e kanalit të katërt për të vazhduar pastaj pjesën tjetër të lokacionit të shënuar. E rëndësishme është që çdo informacion që lidhet me këtë lokacion të procedohet në kuptimin më të mirë profesional”, tha Gara.
Në vijim ai shtoi se nuk ka ndonjë afat kohor për gërmime dhe të njëjtat do të vazhdojnë derisa vendi i shënuar të kontrollohet në tërësi.
Prokurorja Drita Hajdari dje tha se informacioni në lidhje me vendin e dyshuar është dhënë nga një dëshmitar okular i cili është paraqitur në polici dhe ka thënë se ka parë duke u varrosur njerëz gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999.
Tri vite më parë, më saktësisht më 28 korrik të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pati njoftuar se kishte përfunduar një operacion i kërkimit të varrezave masive që dyshohej se gjendeshin në Kampusin universitar të UP-së. Në atë kohë, sipas Prokurorisë Speciale, gjatë gërmimeve në tri lokacione të ndryshme nuk është gjetur as varrezë masive, as ndonjë mbetje mortore.
Institucionet e Kosovës ende janë në kërkim të 1.647 personave të tjerë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, përfshirë mbi 1.000 shqiptarë rreth 500 serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera.