Agim Sulaj
02 maj 2023•Përditësim: 03 maj 2023
Ka përfunduar takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të procesit dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, transmeton Anadolu.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, pas këtij takimi në një adresim për media tha se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Borrelli tha se në takim është paraqitur drafti i parë për asociacionin, por sipas tij, ky nuk është i fundit dhe për të do të zhvillohen diskutime të mëtejme.
“Palët morën një hap të rëndësishëm e simbolik drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilin kishte dakordim 10 vjet më parë. Më në fund, ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës prezantuan për palët draftin e parë, nuk është i fundit, është pikë fillestare, por ja ku është. Ai është në vijë me nenin 7 të marrëveshjes së re. Prezantimi i draftit e bën pjesë të rëndësishme takimin dhe dua të përshëndes faktin që drafti është ofruar në tavolinë”, theksoi Borrell.
Borrell theksoi se edhe kryeministri Kurti ndau mendimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë ku “siç pritej pikëpamjet e palëve janë dukshëm larg në natyrën se si duhet të jetë asociacioni”.
“Nuk prisja diçka tjetër, e dija që palët kanë mendim të ndryshëm për natyrën e asociacionit, por edhe nëse nuk janë pajtuar, janë pajtuar të fillojnë negociatat për asociacionin në të ardhmen e afërt, duke marrë këtë draftin e parë si hapin e parë të diskutimit. I bëjë thirrje të dyja palëve të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim dhe të jenë të gatshëm për kompromise”, theksoi Borrell.
Ai shtoi se procesi duhet të drejtohet nga marrëveshjet e kaluara në dialog dhe të inspirohet nga praktikat dhe modelet e mira në Evropë.
Borrell po ashtu foli edhe për çështjen e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, të cilën e quajti “më pak pozitive”.
“Shprehim edhe njëherë shqetësimin e madh për situatën në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të pjesshme në veri me pjesëmarrje shumë të ulët. Dhe, është e qartë që, marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët, se këto zgjedhje nuk ofrojnë një zgjidhje politike afatgjate, por përkundrazi kanë potencialin për të çuar deri në ndonjë përshkallëzim dhe për të minuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Borrell, duke shtuar se “kjo nuk është ajo çfarë duam ne që të ndodhë”.
Kryeministri Kurti pas takimit me presidentin Vuçiq, nga ana e tij, tha se e dëgjuan me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues i cili prezantoi një draft-statut me 67 nene dhe më pas dhanë vlerësim se një statut i tillë që e lexuan dhe dëgjuan “është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutën, kushtetushmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.
Kurti tha se në këtë mes ka propozuar një draft-vizion si kryeministër i Kosovës në përputhje me nenin 7 të dhe 10 të marrëveshjes bazike.
“Unë kam propozuar një vizion se si do duhej të ishin vlerat dhe principet, çfarë do të duhej të ishte korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave kombëtare, përkatësisht komunitetit serb në Kosovë. Besoj se ajo do të trajtohet me seriozitet nga ndërmjetësit, nga lehtësuesit Borrell dhe Lajçak, sepse në atë mënyrë ne do të mund të ndërtojmë diçka të mirë, të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, sepse serbët duhet të jetojnë në shtetin tonë, të jenë anëtarë me të drejta dhe obligime në shoqërinë tonë”, theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq në takimin e sotëm në Bruksel po ashtu nënshkruan Deklaratën për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, e cila synon zbardhjen e fatit edhe të mbi 1.600 të zhdukurve, si dhe diskutuan për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës.