Admir Fazlagikj
30 Maj 2019•Përditësim: 05 Qershor 2019
Maqedonia e Veriut dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një memorandum për shkëmbimin e informacionit dhe njohurive midis dy vendeve, për të luftuar krimet doganore dhe pastrimin e parave, raporton Anadolu Agency (AA).
Nënshkruesit e memorandumit ishin Drejtoria e Doganave dhe të Ardhurave e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut dhe administratat e saj, respektivisht Drejtoria e të Ardhurave Publike, Administrata Doganore, Policia Financiare dhe Njësia e Intelegjencës Financiare.
Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Dragan Tevdovski, tha se lufta kundër ekonomisë joformale dhe korrupsionit është një nga prioritetet e Qeverisë.
“Memorandumi parashikon shkëmbimin e informacionit dhe njohurive midis dy vendeve për asgjësimin e shkeljeve doganore dhe parandalimin e pastrimit të parave”, tha Tevdovski.
Në lidhje me luftën kundër ekonomisë gri, Tevdovski theksoi se vendi i tij për herë të parë ka një strategji për formalizimin e ekonomisë joformale dhe se tashmë ka ndërmarrë veprime që janë të paraparë në planin e veprimit të viteve 2018-2020.
Nga ana tjetër, kreu i Drejtorisë së Doganave dhe të Ardhurave të Mbretërisë së Bashkuar, Andrew Pavlinich, tha se Maqedonia e Veriut është lider në inicimin e shkëmbimit të informacionit në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se me kërkesë të kreut të Drejtorisë Doganore të Maqedonisë së Veriut, Gjoko Tanaksovski, institucionit që drejton ai ka përkrahur iniciativën për shkëmbimin e të dhënave në përputhje të sistemit të Organizatës Botërore të Doganave, ndërmjet administratave doganore të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas Pavlinich, një nga prioritetet kyçe për liderët e vendeve nënshkruese të memorandumit do të duhet të jetë shkëmbimi i të dhënave të inteligjencës, me qëllim për t’iu përgjigjur kërcënimeve ndërkombëtare.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Rachel Galloway, tha se Mbretëria e Bashkuar po investon në ndërtimin e kapaciteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Sot shënojmë një hap vendimtar në rrjedhën e shkëmbimit cilësor të të dhënave të inteligjencës midis Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe. Me këtë memorandum mirëkuptimi ne angazhohemi në bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në çështjet penale që kanë të bëjnë me tatimet dhe doganat, midis Administratës Tatimore Doganore dhe institucioneve në Maqedoninë e Veriut”, tha Galloway.