Abdulbesar Ademi
01 Tetor 2020•Përditësim: 02 Tetor 2020
Servisi i Anadolu Agency (AA) në gjuhën shqipe sot shënon përvjetorin e gjashtë që nga fillimi i publikimit të lajmeve në gjuhën shqipe.
Gjashtë vite më parë, më 1 tetor të vitit 2014, AA nisi publikimin e lajmeve në gjuhën shqipe, ndërsa më 9 nëntor të vitit 2015 në Shkup hapi qendrën e publikimeve nga ku sot vepron së bashku me gjuhën maqedonase.
Gjatë gjashtë viteve aktive me publikimin e lajmeve në gjuhën shqipe nga të gjitha anët e botës, ndjekur me përmbajtje fotografish dhe videosh, servisi i AA-së në gjuhën shqipe ka fituar një dimension aktiv dhe më pranë mediave të hapësirës shqiptare, përfshirë edhe lexuesit në këtë rajon dhe më gjerë.
Gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), servisi i AA-së në gjuhën shqipe ka vazhduar të operojë me intensitet të njëjtë, duke ndarë për publikun zhvillimet më të reja nga rajoni dhe bota gjatë krizës pandemike, ndërkohë duke mbuluar aktivitetet mediatike në bazë të rekomandimeve të autoriteteve duke respektuar rregullat kundër përhapjes së virusit.
Me praninë e saj në rajon, servisi i AA-së në gjuhën shqipe gjatë gjashtë viteve ekzistencë numëron mbi 104 mijë lajme të publikuara nga Ballkani, Turqia dhe bota, prej të cilave mbi 45 mijë përmbajnë foto galeri dhe mbi 24 mijë përmbajnë video materiale.
Ndryshe, gjuha shqipe ishte e teta që u lançua pranë këtij institucioni serioz mediatik. AA krahas gjuhës turke, shqipe dhe maqedonase, publikon lajme edhe në gjuhën angleze, arabe, BHS (boshnjake, kroate dhe serbe), ruse, frënge, kurde (dialektet Sorani dhe Kurmanji), perse, indoneze dhe spanjolle.
Për çdo ditë nga zyra e AA-së në Shkup, për abonentët dhe lexuesit ofrohen mbi 120 publikime, duke përfshirë lajme, përmbajtje fotografish dhe videosh.
Ndryshe AA është një nga dhjetë agjencitë më të mëdha në radhitjen botërore, e cila për çdo ditë në të gjitha 13 gjuhët tejkalon 3 mijë publikime të lajmeve, fotove dhe videove.