Fatjon Cuka
07 shtator 2026•Përditësim: 07 shtator 2026
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat sipas autoriteteve 14 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se vatrat aktive janë në qarqet Tiranë, Shkodër, Dibër, Lezhë dhe Berat.
Në orët e natës situatë është paraqitur problematike në Malin e Tërbunit, në Pukë, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë masivin pyjor të malit.
"Në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas ministrisë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të mbrojtjes civile.
Në ditët e fundit Shqipëria është përfshirë nga zjarret që kanë shkaktuar dëme në pyje, banesa dhe zona të tjera.