Fatjon Cuka
12 Maj 2019•Përditësim: 13 Maj 2019
Policia e Shqipërisë ka proceduar penalisht dhjetëra persona në lidhje me aktet e dhunës në protestën e partive opozitare të mbajtur më 11 maj në Tiranë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se 84 persona janë proceduar për aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e djeshme të opozitës, ndërsa mes tyre 50 janë arrestuar.
"Protestuesit si pasojë e përdorimit të bombave molotov, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme tek dyert dhe ambientet e Kryeministrisë, të selisë së Kuvendit, tek selia e seancave parlamentare, tek dyert e Ministrisë së Brendshme dhe kane thyer e shkatërruar ambientet e disa subjekteve private e publike", theksohet në njoftim.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Goditje për shkak të detyrës", "Prishja e qetësisë publike", "Shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive".
Në lidhje me aktet e dhunës gjatë protestës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili në një deklaratë për mediat tha se "Tirana përjetoi mbrëmë një mori sulmesh të koordinuara kundër institucioneve kushtetuese dhe policisë".
"Shpreh besimin e plotë se organet kompetente ligjore do të marrin masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë të gjitha ata që planëzuan, organizuan dhe drejtuan sulmet kundër institucioneve dhe policisë", deklaroi ministri Lleshaj.
Sipas policisë, nga aktet e dhunës kanë mbetur të plagosur 16 policë, ndërsa janë plagosur edhe disa protestues.
Protesta e organizuar nga partitë opozitare të Shqipërisë, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), e mbajtur më 11 maj në Tiranë u përfshi nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve.
Partitë opozitare që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta, ndërsa insistojnë në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.