Agim Sulaj
06 gusht 2026•Përditësim: 06 gusht 2026
Në Shqipëri po vazhdon situata e rëndë me zjarret ku në 24 orët e fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat pesë mbeten aktive, sipas autoriteteve, transmeton Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura – në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacionit po vepron avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”. Katër familje janë evakuuar përkohësisht për arsye sigurie.
Në fshatrat e Elbasanit, të Dibrës dhe Gjirokastrës po vijon puna dhe situata është nën kontroll.
Bëhet e ditur se deri më tani si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.