Fatjon Cuka
17 Prill 2026•Përditësim: 17 Prill 2026
Opozita në Shqipëri ka organizuar protestën e radhës antiqeveritare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje, raporton Anadolu.
Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare, ka organizuar protestën e radhës kombëtare, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë ndaj selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërsa forcat e policisë janë kundërpërgjigjur me ujë. Nga protestuesit është pretenduar se është përdor edhe gaz dhe sprej lotsjellës.
Gjatë protestës, disa përfaqësues dhe mbështetës të PD-së janë lënduar gjatë përplasjes me policisë, ndërkohë që policia ka ndaluar disa protestues.
Në protestë u mbajtën fjalime, ndërsa të pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Berisha, tha gjatë fjalës së tij në protestë se PD-ja përfaqëson guximin shqiptar.
"Kemi bërë dhe po bëjmë sakrifica të shumëfishta dhe të mëdha. Ndoshta më të mëdha se çdo opozitë tjetër në Evropë për të mbrojtur interesin publik, lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Ne do qëndrojmë të pamposhtur në këtë mbrojtje", u shpreh Berisha.
Policia ka ndaluar protestuesit që të vazhdojnë protestën para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, duke u shënuar edhe përplasje.
Për protestën u angazhuan qindra forca policore shtesë dhe u bllokuan disa akse rrugore për qarkullimin e automjeteve.
Partitë opozitare kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, ndërkohë që kanë paralajmëruar vijimin e protestave.