Agim Sulaj
18 Qershor 2020•Përditësim: 18 Qershor 2020
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar si proces tepër të vështirë rinisjen e dialogut me Serbinë, megjithëse është shprehur optimist nga takimi i cili pritet të ndodhë rreth këtij procesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtij muaji, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në oborrin e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ku edhe gjendet Zyra e Presidentit, Thaçi duke folur rreth takimit të 27 qershorit në Washington midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, tha se “nga Washingtoni gjithmonë kanë ardhur lajme të mira për Kosovën dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”.
“Takimin e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë e konsiderojmë si kthesë historike dhe mundësi të papërsëritshme për rifillimin e procesit tepër të vështirë, shumë të rëndë por të domosdoshëm për arritjen e paqes. Delegacioni shtetëror i Republikës së Kosovës, njësoj sikurse në të kaluarën, edhe tani shkon i përgatitur për të përfaqësuar denjësisht dhe me integritet në interes shtetërore të qytetarëve të vendit”, theksoi Thaçi.
Presidenti kosovar tha se ka besim të plotë se takimi në Washington do t’i kontribuojë “konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”. Ai theksoi se në takimin e 27 qershorit, do të jetë afër kryeministrit Avdullah Hoti dhe se do të flasin me një zë “duke respektuar vullnetin e qytetarëve”.
“Kosova në Washington shkon me flamurin shtetëror, që është integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Do të vazhdojmë të punojmë për Kosovën e re, Kosovën evropiane dhe Kosovën multietnike. Prandaj, çdo paragjykim apo spekulim është krejt i panevojshëm" tha Thaçi.
Ndërkaq, në ditën e fundit të vizitës kur përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak po qëndron në Kosovë me qëllim rikthimin në dialog të të dyja vendeve, Thaçi tha se “hendikepi i BE-së në këtë proces është rifillimi i dialogut pa liberalizimin e vizave për kosovarët”.
Thaçi në fund të fjalës së tij falënderoi presidentin francez Emanuel Macron i cili po kështu u bë e ditur se pritet të organizojë një samit Kosovë-Serbi në Paris gjatë muajit korrik.
Një iniciativë e tillë nga Franca dhe Gjermania kishte dështuar të mbahej në korrik të vitit të kaluar, ku për shkak të tarifës 100 për qind të vendosur nga Kosova ndaj mallrave me origjinë serbe, Serbia refuzonte të dialogonte në kushte të tilla.