Fatjon Cuka
15 Korrik 2020•Përditësim: 16 Korrik 2020
Me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar që shënohet nga Turqia, në Shqipëri u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit për punimet krijuese të studentëve me tematikë tentativën për grusht shteti ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Ambasadës së Turqisë në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori turk, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, studentë, nxënës dhe prindër.
Ambasadori Yörük gjatë fjalës në ceremoni e cila filloi me një minutë heshtje për nder të dëshmorëve të 15 Korrikut, falënderoi pjesëmarrësit në konkurs, për, siç tha, shprehjen në letër të ndjenjave dhe mendimeve rreth Turqisë dhe popullit turk dhe për rëndësinë e dhënë Turqisë.
Ai theksoi se organizata terroriste FETO që nga vitet 70, përveç në Turqi, është strukturuar në rreth 160 vende të botës dhe është përpjekur të fitojë ndikim në sfera të ndryshme në ato vende përmes aktiviteteve të saj.
"Unë jam i sigurt se natën e 15 korrikut 2016, apo në mëngjes, përmes televizionit ose mediumeve të tjera, ju ishit dëshmitarë të ngjarjeve, të asaj nate të tmerrshme, të asaj nate të errët, të cilën e përjetuan vëllezërit, miqtë dhe familjarët tuaj në Turqi".
Yörük theksoi se shkrimet e shkruara nga pjesëmarrësit në këtë konkurs paraqesin edhe reagim ndaj ngjarjeve që ndodhën më 15 korrik, duke shtuar se në këtë natë, tentativën për grusht shteti e kundërshtuan edhe shtetasit turq me origjinë shqiptare.
Këshilltari për çështjet e arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Atakan Doğan, në fjalën e tij në hapje të ceremonisë, tha se janë mbledhur me rastin e Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Duke iu drejtuar studentëve pjesëmarrës në konkurs, Doğan u shpreh: "Të gjithë ju keni shprehur aq mirë ndjenjat tuaja dhe i keni shpalosur ato me shkrim, saqë na treguat edhe një herë se sa e thellë është vëllazëria shqiptaro-turke dhe se këto ndjenja do të zgjasin përgjithmonë. Të gjithë studentët tanë që kanë marrë pjesë në konkurs kanë merituar shpërblim dhe ne ju përgëzojmë për suksesin tuaj".
Konkursi u organizua nga Zyra e këshilltarit për çështjet e arsimit pranë ambasadës turke dhe nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë.
Çmimin e parë e fitoi studentja e degës së gjuhës turke, Servete Manallari, çmimin e dytë studentja e shkencave politike, Jesmina Sengla dhe çmimin e tretë Klaudisian Muja, i cili ka përfunduar shkollën e mesme.
Përveç certifikatave fituesit e çmimeve morën dhurata të ndryshme, si botime dhe materiale në gjuhën turke.
Turqia më 15 korrik të këtij viti shënon përvjetorin e katërt të tentativës për grusht shteti ndërmarrë nga organizata terroriste FETO dhe me rastin e këtij përvjetori organizohen aktivitete dhe ceremoni të ndryshme në Turqi dhe vende të tjera.