Agim Sulaj
15 shtator 2026•Përditësim: 15 shtator 2026
Vendimi mbi katërshen udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë më 16 shtator, do të ketë ndikim vendimtar në të ardhmen e Kosovës, sipas shkrimtarit, publicistit, studiuesit Milazim Krasniqi, ish-profesor i Universitetit të Prishtinës.
Duke folur për Anadolu, profesor Krasniqi thotë se nëse ndodhë që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi shpallen fajtorë dhe dënohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, do të mund të hapet mundësia e rishikimit të gjithë historisë së Kosovës, jo vetëm narrativa e luftës, por edhe ajo e shtetndërtimit.
"Si pasojë e kësaj mund të ketë rebelim të serbëve që do të thonin 'nuk e pranojmë një shtet të formuar nga një organizatë kriminale', mund të ketë shtete skeptike që mund të tërheqin njohjet e shtetit të Kosovës dhe mund të ketë bllokim të njohjeve të Kosovës. Rrjedhimisht do të ishte një periudhë e izolimit dhe konflikteve brenda shoqërisë", thotë Krasniqi.
Në të kundërtën, nëse ish-krerët e UÇK-së lirohen të mërkurën, Krasniqi thotë se vërtetohet ajo që tashmë dihet, që lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare dhe e drejtë dhe me këtë rast mund të ketë një riafirmim të ri ndërkombëtar.
Krasniqi thotë se për NATO-n dhe komunitetin ndërkombëtar vendimi i Gjykatës Speciale ka rëndësi të madhe gjeopolitike, sepse nëse destabilizohet Kosova atëherë kërkohen edhe më shumë resurse për siguri dhe do të ishte dështim edhe për NATO-n.
I pyetur nëse një dënim eventual në rastin e njohur si "Thaçi dhe të tjerët" do t’ua ndryshonte bindjen disa qytetarëve mbi pastërtinë e luftës së UÇK-së, Krasniqi thotë se tashmë "tradhtarët e kanë të ndryshuar me kohë këtë bindje".
"Bindjen për UÇK-në e kanë të ndryshuar me kohë të gjithë tradhtarët, por, qytetarët e Kosovës nuk e ndryshojnë bindjen sepse e dinë nëpër çfarë kaluar nëpër regjimin e Millosheviqit që kanë qenë të poshtëruar, të diskriminuar, të izoluar, të dëbuar nga shtëpitë e veta dhe vet UÇK-ja ka qenë zëri ose përpjekja që është munduar ta ndalë atë spastrim etnik dhe gjenocid", thotë Krasniqi.
Nëse Thaçi dhe Veseli shpallen fajtorë, kjo pritet të ketë pasoja edhe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila për vite me radhë ka qenë e lidhur ngushtë me figurat dhe trashëgiminë politike të tyre.
PDK-ja e cila aktualisht është partia e dytë më e madhe në vend, sipas profesor Krasniqit, ka dalë si parti “në procesin e demilitarizimit të UÇK-së” dhe si e tillë ka lidhje direkte me të.
"Implikimet në rast të dënimit do të jenë të mëdha. Partia do të detyrohet të reformohet në tërësi, do të mund të kishte kriza të mëdha dhe në këtë aspekt do të shkatërrohej edhe opozitarizmi në Kosovë dhe do të instalohej një pushtet njëpartiak", theksoi ai duke shtuar se pasojat e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së do të ishin edhe në nivel shtetëror por edhe gjeopolitike.
- Kurti: Për ne është gjithçka e qartë, lufta jonë ka qenë e drejtë
Kur ka mbetur vetëm edhe një ditë nga shpallja e vendimit të Gjykatës Speciale, si një nga ngjarjet më të rëndësishme pas çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë, kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, tha se për Kosovën është e qartë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundër një pushtuesi.
Kurti tha se beson dhe uron që verdikti i të mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre dhe pranë familjeve.
Së fundmi, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç thuhet, janë paralajmëruar demonstrata për të mërkurën e 16 shtatorit, ditën kur do të merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Në një njoftim të Ambasadës thuhet se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera kryesore të Kosovës.
Më 16 shtator në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, pritet të shpallet verdikti ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, në një proces që ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë dhe rajon.
Thaçi dhe të tjerët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.