Agim Sulaj
05 Nëntor 2020•Përditësim: 05 Nëntor 2020
Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të vonuar procesin e zbardhjes së rrethanave të vdekjes së ish-aktivistit të saj, Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016 në rrethana ende të paqarta, raporton Anadolu Agency (AA).
Në katër vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, nëpërmjet një konference për media, anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta zbardhin rastin Dehari.
Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Xhelal Sveçla tha se Astrit Dehari sipas dëshmive të ekspertëve të fushës, nuk u vetëvra, por u vra në qelinë e tij, në Prizren.
Siç tha Sveçla, qëllimi i fshehjes së rrethanave të vrasjes së aktivistit Astrit Dehari është bërë ngase “segmentet e caktuara të pushtetit u mobilizuan që Lëvizja Vetëvendosje të goditej deri në shuarje apo në ndaljen e rritjes/shtrirjes së saj në popull”, në kohën kur ajo ishte aktive me organizimin e protestave qytetare në vitin 2015 dhe 2016, kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Ky proces u vonua dhe e pengua me të gjitha mjetet por e gjithë e vërteta do të zbulohet dhe jo vetëm vrasësit por edhe ideatorët, nxitësit, urdhërbartësit e urdhërdhënësit duhet të vihen para drejtësisë”, theksoi Sveçla.
Anëtarja tjetër e kryesisë së Vetëvendosjes, njëherësh ish-ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se “vrasja e Astritit” ka qenë krimi më i rëndë që mund të ndodhë në Kosovë.
Haxhiu tha se një qytetari, një aktivisti politik si Astrit Dehari ishte veshur një vepër e rëndë, ajo për sulm terrorist.
“Prej momentit kur është publikuar raporti i Institutit Zviceran duke pasur parasysh që Prokuroria e Prizrenit, konkretisht ish-prokurori Sylë Hoxha, kishin paragjykuar rastin duke e quajtur vetëvrasje, pas raportit të Institutit Zviceran që dëshmoi se nuk ka qenë vetëvrasje ne kemi kërkuar që rasti të transferohet në Prokurorinë Speciale, por qëllimi i kërkesës ka qenë që Prokuroria të hetonte rastin Dehari pa ndikime, me seriozitet të plotë dhe profesionalizmi. Por, ja ku jemi sot, katër vite prej vrasjes së Astritit dhe një vit nga koha e kaluar e Prokurorisë Speciale pas kërkesës së Vetëvendosjes dhe familjes Dehari, ende mungon drejtësia për Astritin”, tha Haxhiu.
Në emër të Vetëvendosjes dhe familjes Dehari, Sveçla e Haxhiu u bënë thirrje organeve të drejtësisë për trajtim të duhur dhe pandikuar të rastit Dehari.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari qëndroi në qeli për 78 ditë pa u marrë në pyetje zyrtarisht nga organet kompetente, ndërsa vdiq në rrethana të cilat ende nuk janë zbardhur më 5 nëntor të viti 2016-të. Ai mbahej i arrestuar së bashku me 5 aktivistë të tjerë të Vetёvendosjes që akuzoheshin për sulm me mjet shpërthyes mbi godinën e Parlamentit të Kosovës, pas përpjekjes së Parlamentit për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Me kërkesë të familjes Dehari rasti për zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit ishte bartur Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, e cila në tetor të vitit 2018, kishte ardhur në përfundim se “gjasat janë të vogla që Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, ta ketë vrarë veten në burg”.
Sipas babit të Astrit Deharit, Avni Dehari, “me ardhjen e raportit të ekspertëve të institutit nga Zvicra konstatuan se Astriti është vrarë. Me këtë raport faza e parë e betejës për rastin e Astritit është përmbyllur. Tash hapet faza e dytë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthorë kanë marrë pjesë në vrasjen e birit tonë”.