Dzihat Aliju
14 gusht 2026•Përditësim: 14 gusht 2026
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se zjarri pranë fshatit Lozan në Komunën e Mogillës afër Manastirit, është vënë nën kontroll, transmeton Anadolu.
Situata më e vështirë për përballimin e zjarreve dje ishte në Pellagoni, ku zjarri rrezikoi disa fshatra.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov deklaroi se kishte angazhuar një ekip për reagim të shpejtë të DMSH-së, të përbërë nga 20 pjesëtarë, të cilët u vendosën shpejt në terren dhe ndihmuan në shuarjen e zjarrit.
"E kemi edhe një person të lënduar, me shumë gjasë me djegie në pëllëmbët e duarve. Ai është dërguar në spital", tha Angellov.
"Beteja ishte shumë e vështirë dhe për këtë arsye u bëj thirrje qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm", shtoi ai.
Angelov theksoi se dita e djeshme ishte një nga ditët më të vështira këtë verë për përballimin e zjarreve të shumta që shpërthyen në territorin e vendit.
Deri në orën 7:30 të mëngjesit janë regjistruar gjithsej 40 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave gjashtë janë aktive, tre janë nën kontroll dhe 31 janë shuar, njoftoi QMK-ja.