Fatjon Cuka
09 Janar 2025•Përditësim: 09 Janar 2025
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, po realizon një vizitë në Shqipëri, në kuadër të një turi rajonal vizitash, transmeton Anadolu.
Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, zyrtari amerikan është takuar me kryeministrin Edi Rama, në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë.
Në një njoftim të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë të publikuar në rrjetet sociale thuhet se gjatë takimit u diskutua mbi "mbështetjen e jashtëzakonshme të Shqipërisë për refugjatët afganë dhe Ukrainën dhe se sa jetik është integrimi në BE për të ardhmen e Shqipërisë".
"Zëvendëssekretari Verma përgëzoi Shqipërinë për përzgjedhjen për një marrëveshje kompakte me MCC (Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit), një mundësi për të bashkëpunuar në një program për rritjen ekonomike teksa Shqipëria ecën drejt integrimit të plotë evropian", thuhet në njoftim.
Verma është takuar edhe me drejtuesit dhe stafin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ndërkohë që pritet të takohet edhe me zyrtarë të tjerët të Shqipërisë.
Sipas një njoftimi nga Departamenti amerikan i Shtetit, Verma gjatë vizitave në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi do të riafirmojë përkushtimin e SHBA-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.