Adam Abu-bashal
09 nëntor 2023•Përditësim: 10 nëntor 2023
Ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Nigeri, Muhammad Ali Pate tha se më shumë se 330 fëmijë nën moshën 5-vjeç vdesin çdo ditë në Afrikë për shkak të rotavirusit, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në mediat kombëtare, ministri Pate foli në simpoziumin me temë "Kontrolli i sëmundjeve të rotavirusit në Afrikë" organizuar nga Rrjeti Afrikan Rotavirus.
Pate deklaroi se në Afrikën Sub-Sahariane, shumica e fëmijëve janë të infektuar me rotavirus, i cili shkakton infeksion të zorrëve, diarre dhe ka shkallë shumë të lartë ngjitëse, para se fëmijët të mbushin 18 muajsh.
Ai tha se më shumë se 330 fëmijë nën moshën 5-vjeç vdesin mesatarisht çdo ditë në Afrikë për shkak të rotavirusit. Pate thotë se kjo krijon barrë të konsiderueshme për familjet dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.
Ministri nigerian potencoi se simpoziumi ofron mundësi të jashtëzakonshme për të shkëmbyer ide, përvoja dhe për të rritur njohuritë për sëmundjen.